Partia Demokratike ka kërkuar nga degët e saj në të gjitha qarqet që të plotësojnë një formular në lidhje me analizimin e asaj që e cilësojnë masakrën zgjedhore.  Ky vendim u mor ditën e djeshme në Kryesinë e PD-së. Në udhëzimin e sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, që mban datën e djeshme kërkohet që degët e selisë blu të plotësojnë disa pika ku evidentohen problematikat e nxjerra nga zgjedhjet e 25 prillit.

Një ditë pas mbledhjes së kryesisë, PD ka miratuar edhe formularin në bazë të së cilit do të bëhet analiza analitike. Në pikën 5 të formularit, demokratëve u kërkohet të identifikojnë të gjitha fenomenet negative të përdorura nga kundërshtari politik, personat influent që kanë punuar kundër PD, niveli i angazhimit të tyre dhe format e përballjes.

Kjo do ti lehtësojë kupolës së PD vlerësimin e punës së secilit prej drejtuesve lokale të partisë, kontributi i të cilëve gjithashtu do të kalojë në filtrin e fazës së parë të analizës analitike, gjatë fazës së parë. Emrat e personave influentë që kanë kontribuar për PD-në, ndarja e zonave mes ekipit të kandidatëve, organizimi elektoral i fushatës, por edhe gjendja e strukturës së partisë do të jenë gjithashtu në fokus të analizës së detajuar të demokratëve. Filtrit nuk do ti shpëtojnë as aleatët, pasi formulari i kërkon drejtuesve lokalë të përcaktojnë se cila ka qenë vlera e shtuar e koalicionit për secilën zonë.

Analiza analitike do të dorëzohet brenda datës 5 korrik, ndërsa faza e parë do të mbyllet 5 ditë më pas, kur të dhënat për çdo qark do ti dorëzohen kryesisë së Partisë Demokratike.

Artikulli paraprakSHKODËR, PROMOVOHET DOKUMENTARI “KTHIMI I MISIONARIT”
Artikulli tjetërVLLAZNIA RINOVON ME JONUZIN, PRITEN LOJTARË TË TJERË