Reagimi – PDIU: Shqipëria të mbajë qëndrime të prera ndaj ministrit grek të Mbrojtjes

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet i përgjigjet deklaratave të ministrit grek të Mbrojtjes, duke theksuar se kur ministrat e Mbrojtjes bëjnë politikë të jashtme me manovra ushtarake pranë kufijve të fqinjëve rezultati është katastrofik. Sipas PDIU-s, ministri grek është i njohur për qëndrimet e tij antisemite dhe antievropiane, ndërsa i kërkon Shqipërisë që të marrë masa. “Shqipëria duhet të mbajë qëndrime të prera ndaj këtij ministri që nuk kupton se ne sot jemi anëtarë të NATO-s, njëlloj si Greqia, ndaj gjuha e kërcënimit nuk ka vend. Dje ministri i mbrojtjes i Greqisë Panos Kamenos, nga një zonë e kufirit shqiptaro grek pas organizimit të manovrave ushtarake provokative kundrejt një vendi fqinjë, anëtar i NATO-s, vendosi të provokojë edhe me fjalë Shqipërinë dhe vende të tjera anëtare të Aleancës”, thuhet në reagim. “Ne duam t’i themi këtij ministri antisemit, antieuropian: Komuniteti çam nuk mund të vizatohet sot në kohë lirie, si komunitet bashkëpunëtor i nazizmit. Lexoni historianët realistë grekë, lexoni burimet amerikane që konfirmojnë se pikërisht mosbashkëpunimi i shqiptarëve çamë me pushtuesit italianë solli dështimin e tyre në Greqi. Por Kamenos, i ngrehur me rroba ushtarake, do të lexojë vetëm historinë që shkruajti Zervas me gjakun e mijëra grave, pleqve dhe fëmijëve çamë”, thuhet më tej.