
Pse pengohen investimet në zonën muzeale?
Këto dhe shumë të tjera u shpjeguan nga arkitekti i njohur Zef Çuni, i ftuar në emisionin Studio e Hapur me gazetarin Teodor Gjerga. Prej disa vitesh, zona muzeale e Shkodrës është e bllokuar për investime. Sipas arkitektit Çuni, ekzistojnë projekte të mëdha me vlera miliona dollarë, të cilat, ndonëse kanë marrë miratimin nga Ministria e Kulturës, nuk mund të realizohen për shkak të pengesave që vijnë nga PDV-ja (Plani i Detajuar Vendor).
Sipas tij, PDV-ja përmban një sërë rregullash të vendosura nga Bashkia Shkodër rreth pesë vite më parë, të cilat janë tepër të ashpra dhe praktikisht të parealizueshme për ndërtime në zonën muzeale. Për pasojë, sipas arkitektit Çuni, pa ndryshimin ose heqjen e këtij dokumenti, zona muzeale do të mbetet në mëshirë të fatit.
Ai theksoi gjithashtu se PDV-ja është një praktikë unike që aplikohet vetëm nga Bashkia Shkodër, e cila kërkoi vetë ta kishte këtë dokument pesë vite më parë, por që në fakt është kthyer në një boomerang për zhvillimin urban dhe kulturor të qytetit.