Pak muaj pas pengmarrjes dhe vrasjes të Jan Prengës në zonën e Shijakut, si hakmarrje ndaj vëllait të tij për prishjen e pazareve të drogës në Britani siç dyshohet, mësohet se është arrestuar një prej rrëmbyesve të dyshuar. Sipas dyshimeve mendohet se është ndaluar shtetasi Martin alias Gentian Bleta nga Shkodra. Sipas burimeve ky shtetas ka dyshime se është ndaluar në Poloni për verifikim ndërsa mban emrin Gentian Bleta të ndryshuar nga Martin Bleta që ka patur më përpara ndërsa në kërkim ndërkombëtar është me emrin Martin Bleta.

Interpol Tirana po bën verifikimet sipas procedurave nëse është ky personi i dyshuar që është ndaluar për verifikim. Jan Prenga u mor peng më 17 janar 2020 në zonën e Kamzës. Ai u dërgua në resortin e Altin Hajrit në Shijak, ku u torturua. Dyshohet se gjatë dhunës, Prenga u mbeti në dorë pengmarrësve, që vendosën të zhdukin trupin. Edhe pas kërkimeve në zonën e Shijakut, trupi i tij ende nuk është gjetur. 49-vjeçari ishte babai i 5 fëmijëve dhe ka 4 vëllëzër, njëri prej të cilëve dyshohet se është bërë shkak edhe për pengmarrjen e tij.

Vëllai i Jan Prengës, Astrit Prenga dyshohet se i bllokoi një dërgesë kokaine një tjetër shqiptari, Dritan Rexhepaj i cili ndodhet në burg në Ekuador. Ky i fundit pasi Astrit Prenga i bllokoi 300 kg kokainë dyshohet se urdhëroi në Shqipëri që të merrej peng vëllai i tij i madh në formë presioni për të liruar ngarkesën por gjatë pengmarrjes Jan Prenga ndërroi jetë. Për ngjarjen deri më sot janë arrestuar Bajram Hajri, Leonard Hajri, Olsi Turja, Elton hajri, Festim Bixhdili dhe Ardian Doçaj.

Një ditë më parë në policinë e Tiranës dëshmoi kreu i pajtimit të gjaqeve në Shkodër Nikollë Shullani si ndërmjetësues për lirimin e pengut. Tashmë hetimet për këtë ngjarje të rëndë vazhdojnë nga policia dhe prokuroria për zbardhjen e plotë.