Zbardhet dëshmia e vëllait të personit të mbajtur peng për gjashtë ditë në Shkodër, për një shumë prej 10 mijë eurosh nga tre persona tashmë të arrestuar. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dorëzuar në gjykatë kërkesën për masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tre të ndaluarve në Shkodër, Kolë Dushku, Lek Shkrepa dhe Tomë Shkrepa.

Ata dyshohet se i kanë shitur një sasi droge një shtetasi malazez. Garant për malazezin dyshohet se kanë dalë dy vëllezërit e marrë peng, të cilët janë rrëmbyer pasi blerësi i drogës nuk ka bërë pagesën. Një ditë pas ngjarjes së ndodhur më 21 nëntor 2015, Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedimi penal, që bën fjalë për veprën penale të “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit”. Pikërisht, mbi bazën e këtij procedimi është marrë edhe dëshmia e vëllait të pengut, i cili ditën e ngjarjes kishte qenë bashkë me vetë pengun në zonën ku ai u mbajt i rrëmbyer nga autorët e krimit. Burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda thanë se hetimi ka nisur mbi bazën e dosjes së përcjellë nga Drejtoria e Policisë Vendore, Shkodër. Fjala është për kallëzimin e bërë nga shtetasi me iniciale A.K., (vëllai i pengut). Ai, në kallëzimin dhe deklarimin e tij shpjegon se në datë 21 nëntor 2015, rreth orës 18:30, ka qenë duke pirë kafe me vëllain e tij, shtetasin S.K., në një lokal në vendin e quajtur Rus, qyteti Shkodër. Sipas dëshmisë së tij, aty kanë ardhur shtetasi me emrin Tomë, I identifikuar si Tomë Shkrepa, si dhe dy persona të tjerë, të cilët I kanë hipur në një autoveturë tip “Benz Mercedes” dhe i kanë dërguar në fshatin Grudë e Re, Shkodër. Referuar dëshmisë së dhënë nga vëllai i pengut, pasi kanë zbritur nga automjeti, një prej autorëve të pengmarrjes ka filluar duke i sharë dhe ofenduar, si dhe i ka goditur me grushte, duke u thënë “ju, ose do të më jepni 10 mijë euro, ose do të më gjeni shtetasin x, nga Mali i Zi”.