Pensioni social do të llogaritet mbi të ardhurat që kanë individët në bankë, nga toka, të ardhurat nga biznesi apo pasuritë e paluajtshme. Vendimi i ri i qeverisë ka përcaktuar kriteret dhe procedurat se si do ta përfitojnë pensionin social rreth 5000 mijë të moshuar aktual të cilët nuk kanë paguar kontributet, apo ata të cilët do aplikojnë pas dates 1 gusht.

“Për kriteret, procedurat dhe dokumentacionin për pensionin social, do të konsiderohen, të ardhurat individuale të shtetasit, të ardhurat nga toka bujqësore, që siguron familja në përbërje të së cilës është personi, të ardhurat mujore nga veprimtaria ekonomike, si aksioner i vetëm ose bashkëpronar në një aktivitet ekonomik. Të ardhurat nga pasuritë e paluajtshme individuale ose në bashkëpronësi me persona të tjerë dhe të ardhurat mujore nga depozitat bankare në emër të kërkuesit”, – thuhet në vendimin e qeverisë.Të ardhurat individuale për shtetasin që aplikon për të përfituar pension social do të llogariten mujore dhe do të rivlerësohen një herë në vit, bazuar në deklaratën e re për gjendjen socialekonomike të përfituesit, e cila verifikohet nga DRSSH-të dhe krahasohet me deklarimet e verifikimet e mëparshme.
PENSIONIN SOCIAL DO TA PËRFITOJNË TË GJITHË ATO QË PLOTËSOJNË KRITERET.
Pensionin social e përfitojnë edhe shtetasit, që janë vendosur në institucionet rezidenciale (siç janë shtëpitë e të moshuarve), të cilët plotësojnë kriteret ligjore. Për shtetasit që plotësojnë kushtet për përfitimin e pensionit social dhe janë të vendosur në institucione rezidenciale njoftohet Shërbimi Social Shtetëror. Masa mujore e pensionit social të pjesshëm llogaritet si diferencë midis pensionit social të plotë dhe të ardhurave mujore individuale të deklaruara, të vlerësuara dhe të pranuara.