
Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025, konsumi individual aktual në Shqipëri arrin në 8,656 euro për banor në vit, ose rreth 20.3 miliardë euro në shkallë vendi. Mesatarja e BE-së është 27,463 euro për frymë, çka do të thotë se të ardhurat për frymë të një shqiptari janë vetëm rreth 32% të një banori në një nga vendet e Bashkimit Europian.
Diferenca më e fortë shfaqet te ushqimet, për peshën ndaj totalit, por jo për vlerën, një tregues i varfërisë në vend. Nga 8,656 euro që përbëjnë konsumin vjetor për banor në Shqipëri, 2,513 euro shkojnë për ushqime dhe pije joalkoolike. Në total, kjo kategori përllogaritet në rreth 5.9 miliardë euro, ose 29% të gjithë konsumit individual.
Në BE, për ushqime shpenzohen mesatarisht 2,847 euro për frymë, pra vetëm rreth 13% më shumë në vlerë absolute se në Shqipëri. Por, për shkak të të ardhurave shumë më të larta në dispozicion, që u jep më shumë mundësi të konsumojnë në kategoritë e tjera, pesha e tyre në shportën europiane është vetëm 10.4%. Ushqimet zënë në Shqipëri një pjesë 2.8 herë më të lartë se në mesataren e BE.
Pas tyre, ndër kategoritë me peshën më të madhe në Shqipëri janë shpenzimet për banesën dhe energjinë. Për banesën, ujin, energjinë elektrike, gazin dhe lëndët e tjera djegëse llogariten 1,172 euro për banor, ose rreth 2.75 miliardë euro gjithsej,. Kjo kategori merr 13.5% të konsumit, më pak se niveli prej 18.8% në BE. Në të kundërt, shëndetësia merr një pjesë më të vogël të konsumit shqiptar. Eurostat llogarit 662 euro për frymë, ose rreth 1.56 miliardë euro në nivel vendi, ekuivalente me 7.6% të totalit. Në Bashkimin Europian, pesha arrin në 13.4%.
Edhe transporti zë më pak peshë në strukturën shqiptare: 576 euro për banor dhe rreth 1.36 miliardë euro në total, ose 6.7%, përkundrejt 9.9% në BE. Për restorante dhe akomodim përllogariten 427 euro për frymë, ndërsa pjesa ndaj konsumit është 4.9%, krahasuar me 7.2% në Union. Për veshje dhe këpucë, një shqiptar shpenzon 205 euro në vit (2.4% e totalit, përkundrejt 881 euro mesatarja e BE-së (3.2% e totalit)./ Monitor


