Për herë të parë në Kosovë, IKSHPK në bashkëpunim me OBSH ka filluar zbatimin e studimit “Hulumtimi seroepidemiologjik bazuar në popullatë” i shtresuar sipas moshës për infeksionin SARS CoV-2 (Covid – 19).

Siç njoftin MSH, ky hulumtim bëhet me qëllim të studimit të shkallës së infeksionit me SARS CoV-2 që përcaktohet nga seropozitiviteti i popullatës së përgjithshme në Kosovë.

“Hulumtimi bëhet sipas protokollit të standardizuar të zhvilluar nga OBSH, i cili mundëson që të dhënat e ekspozimit epidemiologjik dhe mostrat biologjike të mblidhen sistematikisht dhe të vlerësohet shkalla e ashpërsisë dhe sulmit. Hulumtimi po ashtu shërben për orientim mbi situatën e shëndetit publik dhe politikat e vendimmarrjes”, njofton MSH.

Ky studim sero-epidemiologjik ka për qëllim këto objektiva:
1. Të matet seroprevalenca e antitrupave të COVID-19 në popullatën e përgjithshme sipas gjinisë dhe grupmoshës, në mënyrë që të përcaktohet imuniteti kumulativ i popullatës.
2. Të vlerësohet raporti i infeksioneve asimptomatike, para-simptomatike ose subklinike në popullatë dhe në raport me moshën dhe gjininë.
3. Të matet pozitiviteti aktual te popullata e zgjedhur rastësisht.

MSH thotë se hulumtimi do te bëhet në nivel kombëtar i shtresuar sipas grupmoshës dhe gjinisë.
“Posa të përfundojë marrja e mostrave në terren do të kemi rezultatet preliminare dhe tutje ato përfundimtare që do na pasqyrojnë gjendjen e përhapjes së COVID- 19 në popullatën e Kosovës”, vijon njoftimi.