
Është organizuar për herë të parë Java Ndërkombëtare në universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë përfaqësues të disa universiteteve nga Bashkimi Europian. Rektori Tonin Gjuraj theksoi se ndërkombëtarizimi është një nga sfidat më të mëdha të universitetit.
“Pa dyshim, ndërkombëtarizimi është sfida më e afërt për të gjitha universitetet shqiptare – një fjalë kyçe – por ky proces nuk ndodh vetvetiu, as për një ditë, e as për një javë. Duhet të vazhdojmë atë që po fillojmë sot, duke marrë në konsideratë përvojat e mëparshme dhe modelin evropian të bashkëpunimit, dhe duke u hapur ndaj trashëgimisë intelektuale dhe akademike evropiane. Nëse aktiviteti i sotëm do të kontribuojë në një qasje të re ndaj realitetit arsimor në Shqipëri, të kombinuar me një dialog kritik ndërmjet njëri-tjetrit, atëherë, sipas meje, ne mund të kemi sukses në të ardhmen e afërt.”
Ndërkohë, zëvëndës kryetari i bashkisë, Rudin Beka veçoi bashkëpunimin me universitetin e Shkodrës për forcimin e politikave në promovimin e qytetit.
“Për në është shumë e rëndësishme të kemi një qytet të fortë dhe ta kthejmë atë në një qytet të rëndësishëm industrial dhe ekonomik. Në këtë drejtim, kemi nevojë për universitetin e Shkodrës. Ne duhet të forcojmë këto investime, në mënyrë që universiteti të jetë identifikues në rajon. Për ta bërë Shkodrën kryeqendër, na duhen studentë ndërkombëtarë. Thënë kjo, jam mirënjohës për këtë takim, mes institucioneve për të promovuar vlerat e Shkodrës në fushën e ekonomisë, sociale por edhe atë të turizmit”
Përgjatë kësaj jave, universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka organizuar disa takime dhe trajnime mbi integrimi i internacionalizimit në kurrikula, sfidat e projekteve ndërkombëtare dhe jo vetëm.