Pensioni mesatar në qytet në vitin 2020 shënoi ulje për herë të parë që nga viti 2000 kur ekzistojnë të dhënat zyrtare.

Masa e pensionit mesatar urban arriti në 15,732 lekë gjatë vitit të kaluar nga 16,2543 lekë që ishte në vitin 2019 sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Ulja në vlerë ishte 3.2 për qind, por duke përllogaritur edhe efektet e inflacionit ulja reale ishte edhe më e madhe me rreth 4.8 për qind.

Pensioni mesatar në fshat arriti në 9295 lekë me një rritje 1.4 për qind në raport me vitin 2019, por duke përllogaritur efektet e inflacionit mesatar (1,6 % më 2020) pensionet reale në fshat kanë pësuar rënie me 0.2 për qind në vitin 2020.

Ekspertët sqarojnë se ulja e pensioneve po nxitet nga dalja në pension e gjeneratave që kanë kaluar një pjesë të madhe të viteve të punës gjatë periudhës së tranzicionit. Duke qenë se një pjesë e madhe e tyre kanë punuar në të zezë, nuk kanë punuar fare ose kanë paguar më pak sigurime ato nuk i përmbushin kushtet për përfitime maksimale të pensioneve të pleqësisë.

Brezi i tranzicionit rrezikon të kalojë një pleqëri në skamje për shkak se masa e pensionit mesatar, në vend që të rritet, po i kthehet uljes. Kjo tendencë e ecurisë së pensioneve pritet të zhysë në varfëri një pjesë të madhe të popullsisë e cila përbëhet nga pensionistët. Numri i tyre po rritet nga viti në vit, për shkak se tani po del në pension bumi i lindjeve në vitet 1950-60.

Nga viti 2010-2020 përfituesit në skemën e pensioneve u rriten me 22%, por ndërkohë pagesat për një pensionist kanë nisur rënien.

Gjatë vitit të kaluar numërohen 665,863 përfitues pensioni në të gjithë vendin nga 651,539 mijë që ishin në më 2019 me një rritje prej 2,2%. Nga këto ishin pensione pleqërie rreth 440 mijë. Plakja e popullsisë po rrit me shpejtësi numrin e pensionistëve në vend e për pasojë, nevojën për fonde shtesë ndaj arkës së pensioneve.

Teksa përfitimet e pensionistëve shqiptare janë ulur skema shtetërore e sigurimeve shoqërore është përkeqësuar nga pandemia Covid -19.

Të ardhurat nga kontributet shënuan rënie me 1.6% më 2020 dhe shpenzimet u rriten me 1.5 për qind, për rrjedhojë deficiti i skemës u thellua dhe subvencioni nga buxheti i shtetit u rrit.

Financimi i buxheti i shtetit në skemën e sigurimeve arriti në 29 miliardë lekë me një rritje mbi 14% në raport me 2019./ Monitor/

Artikulli paraprakNDËRSA BOTA PËRPIQET TË DALË NGA PANDEMIA, EMETIMET E DIOKSIDIT TË KARBONIT PRITET TË RRITEN
Artikulli tjetërRAMA REAGON PËR NGJARJEN NË KAVAJË: AUTORI S’KA LIDHJE ME PS! LULZIM BËHU BURRË, BOLL BËRE KUKULLËN E TË PAUDHËVE!