Në nisje të kohës së shenjtë të Kreshmës, Arqipeshkvi i Shkodrës, Giovanni Peragine, ka përcjellë një mesazh drejtuar besimtarëve duke e cilësuar këtë periudhë si “një dhuratë hiri dhe një mundësi e çmuar për të rikthyer vëmendjen tek ajo që është thelbësore”.
“Të dashur vëllezër e motra, me shenjën e thjeshtë të hirit kemi filluar rrugëtimin e kohës së Kreshmës, duke hyrë në një kohë të shenjtë dhe të favorshme, ku Zoti na thërret me emër dhe na fton të kthehemi tek Ai me gjithë zemër”, shkruan ai.
Imzot Peragine thekson se Kreshma nuk është thjesht një përpjekje morale apo një seri praktikash të kryera për traditë, por “kthim tek thelbi i jetës së krishterë: të vendosim Zotin në qendër të ekzistencës sonë dhe, tek Ai, të rizbulojmë fytyrën e vëllait”.
Në mesazhin e tij, Arqipeshkvi ndalet edhe tek domethënia e pendesës: “Pendesa do të thotë, para së gjithash, të ndryshojmë drejtimin, të riorientojmë zemrën drejt atyre gjërave që i japin kuptim të vërtetë jetës sonë”.
Ai vë në dukje se kur Zoti nuk është në qendër të jetës, “marrëdhëniet dëmtohen, komunitetet dobësohen, shpresa zbehet”, ndërsa kur Zoti rikthehet në qendër, “pastrohet shikimi ynë dhe ndryshon mënyra se si i shohim të tjerët”.
Duke iu referuar realitetit shoqëror, Imzot Peragine thekson se “toka jonë ka përjetuar dhimbje dhe prova” dhe se qyteti përballet ende me varfëri, padrejtësi e dhunë, duke shtuar se “na duhen të krishterë të pajtuar, të aftë të ndërtojnë ura dhe jo mure”.
Në përmbyllje, ai kujton se “Kreshma nuk është kohë trishtimi, por përgatitje për gëzimin e Pashkëve”, ndërsa i fton besimtarët që këtë rrugëtim ta jetojnë së bashku si Kishë, me zemër të rinovuar dhe besim më të gjallë.
“Kreshmë të mbarë e Zoti ju bekoftë!”, përfundon mesazhi i Arqipeshkvit të Shkodrës.

Artikulli paraprakOBOTI I KALUESHËM VETËM ME MAKINA TË LARTA
Artikulli tjetërBAKS- RRJOLL, BANORËT NUK DORËZOHEN: PROTESTA VAZHDON