
Arqipeshkvi i Shkodrës, Giovanni Peragine, ka përcjellë një mesazh urimi për besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Në mesazhin e tij drejtuar Myftiut të Shkodrës dhe gjithë komunitetit mysliman, Imzot Peragine shpreh “ndjenja të thella respekti, vëllazërie dhe afërsie shpirtërore”, duke uruar agjërim të lehtë e të pranuar, paqe në zemër, forcë në përkushtimin fetar, si dhe shëndet e begati për çdo familje.
Ai thekson se këtë vit fillimi i Ramazanit përkon me hyrjen e të krishterëve në kohën e Kreshmës, “një periudhë pendese, lutjeje dhe ripërtëritjeje shpirtërore”, duke e cilësuar këtë përkim si një ftesë që dy komunitetet të ecin paralelisht në reflektim, vetëpërmbajtje dhe kthim të zemrës drejt Zotit.
Arqipeshkvi nënvizon se lutja, edhe pse e shprehur në forma të ndryshme, bëhet një zë i vetëm për paqe, drejtësi dhe shpresë, ndërsa vlerat e përbashkëta si solidariteti, mëshira dhe respekti për tjetrin forcojnë bashkëjetesën dhe harmoninë në shoqëri.
Në përfundim, ai uron që ky Ramazan të jetë një kohë drite, bekimi dhe ripërtëritjeje shpirtërore për të gjithë besimtarët myslimanë, duke kontribuar në forcimin e paqes dhe mirësisë ndërmjet bijve dhe bijave të vendit tonë.






