Të gjithë çuçurasin për një përçarje në mes të koalicionit PS dhe LSI por ende askush nuk ka guximin ta pranojë publikisht. Duket si një dashuri e sforcuar që përbrenda ka akumuluar shumë urrejtje. Kjo ndjenjë kombëtare për plasaritjen e PS me LSI mesa duket ka mbërritur edhe në Shkodër. Në fakt ka shumë kohë që përflitet se administrate në Shkodër dhe shumë drejtori do jenë pjesë e disa ndryshimeve jo të vogla. Këtë e zyrtarizoi me gojën e tij Ditmir Bushati, koordinatori i dërguar nga qendra për zgjedhjet e PS në Shkodër dhe Kukës.

200 të pranishmit në kinema “millennium” dëgjuan kur Bushati u shpreh se: “Të shohim raportet në koalicion, sa është respektuar marrëveshja dhe se si ka funksionuar. Nuk jemi këtu për të qarë hallet e një koalicioni tjetër”. Nëse dikuj nuk i mjafton kjo deputeti socialist Paulin Sterkaj jo vetëm se përforcoi por e lëshoi edhe më troç mesazhin e tij: “Të korigjojmë administratën që si të depolitizuar çuan votat në partitë e tjera. Administrata në Shkodër është bërë me njohje e jo me kontribute”. Për të mos mjaftuar edhe antarsia e PS akuzuan drejtpërdrejtë në mbledhjen e një dite më parë forcën e madhe që LSI ka në Shkodër, Vau Dejës apo edhe në Pukë. Këtyre akuzave qoftë Ditmir Bushati por edhe deputetët Sterkaj, Kopliku e Hafizi iu përgjigjën vetëm me heshtje. Mbase përmes kësaj heshtje japin konfirmimin. Pas mbledhjes deputeti Paulin Sterkaj në vend që të flasë për marrëdheniet e PS me LSI na tregoi marrëdhëniet që ai personalisht ka me LSI apo deputetin e kësaj force politike Agron Çela duke anashkaluar vetë PS-në. Çfarë mund të thotë dikush për votimin për antarët e këshillit të qarkut Shkodër kur qartazi dhe në sytë e të gjithëve PS dëmtoi LSI duke votuar kandidaturat e djathta dhe jo kandidaturat e LSI që pretendonin minimumi një antar në qark, gjë e cila nuk u realizua. Nëse nuk mjafton si mund të përkthehen ndryshe votat e socialistëve për kryetarin e këshillit të qarkut Shkodër pak ditë më parë. Në vend që të shkonin për kandidaturën e LSI Salvator Gjoka, PS i dha 4 vota Greta Bardelit të PD duke lënë me vetëm 5 vota kandidatin e LSI. Të gjitha këto vërtetojnë tashmë përçarjen dhe luftën e brendshme mes PS dhe LSI që në fakt socialistët po e shfaqin kudo, 3 herë radhazi vetëm në Shkodër, e fundit e thënë nga Ditmir Bushati dhe Paulin Sterkaj një ditë më parë.