Në Akademinë e Rendit sot iu dha lamtumira kryekomisarit, Bajram Hajdarmetaj. Ai ishte një nga dhjetëra viktimat që shkaktoi tërmeti në Durrës dhe Thumanë.

Kryekomisari, i cili ndodhej në zonën e Kavalishencës në Durrës, u gjet i pajetë nën rrënojat e godinës nga ekipet e kërkim-shpëtimit.

Hajdarmetaj ndodhej në Kavalishencën e Ministrisë së Brendshme në Durrës, ku kishte filluar edhe kursi bazë i policisë dhe viktima ishte një prej lektorëve.

Kryekomisar Hajdarmetaj, që prej javës së kaluar kishte filluar trajnimin e të rinjve në radhët e Policisë, ndërsa mëngjesin e djeshëm nga tërmeti prej 6.4 ballë ka qenë një prej viktimave në atë zonë.

Të gjithë personat që zhvillonin trajnimin bazë të policisë ishin të strehuar në ambientet-fjetore të Kavalishencës, ndërsa në mesnatë godina u shemb.

Bajram Hajdarmetaj, 56 vjeç, me origjinë nga fshati Markaj i Tropojës ishte i martuar dhe me tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Trupi i pajetë i tij do të prehet në vendlindje.

 

Artikulli paraprakFRESSH DHE FRPD BËHEN BASHKË NË SARANDË PËR TË MBLEDHUR NDIHMA
Artikulli tjetërNUK NDALOI ASNJËHERË EDHE KUR SHËNDETI I TIJ ISHTE NË RREZIK, RAMA PUBLIKON FOTON E ZJARRFIKËSIT HERO