Përdhunuesi pranon krimin, u denoncua nga vajzat e tij

Jashar Luca, i akuzuari se ka ngacmuar seksualisht vajzën e tij të mitur në mënyrë të përsëritur, ka pranuar akuzat në gjykatë duke përfituar edhe gjykimin e shkurtuar. Në seancën e parë në Gjykatën e Tiranës, e cila për shkak të natyrës së çështjes u zhvillua me dyer të mbyllura, i pandehuri nuk u paraqit vetë, por kishte autorizuar avokatin të pranonte akuzat. Me këtë mënyrë gjykimi, Luca shmang përballjen në gjykatë me vajzat e tij, të cilat e denoncuan për ngacmimet seksuale. Gjatë fazës së hetimit të kësaj çështjeje Top Channel transmetoi dëshminë e dy motrave minorene, të cilat për të faktuar abuzimin seksual të të atit dhe për të bindur njerëzit e tjerë të familjes u detyruan ta regjistronin në kamera. Denoncimi i rastit shoqëruar me provën filmike solli arrestimin e Jashar Lucës, ndërsa vajzat janë marrë në mbrojtje dhe mbahen nga një organizatë e huaj, e cila u ka siguruar kushtet e nevojshme jo vetëm për një jetë normale, por edhe për shkollimin e tyre. Ndërsa gjykimi i shkurtuar e ka shpëtuar të pandehurin edhe me përballjen me pamjet filmike. Pritet që në senacën e radhës prokurori i çështjes të paraqesë pretencën ndaj të pandehurit, i cili rrezikon një dënim që varion nga 3 deri në 7 vite burgim.