
Komisioni Evropian mendon se Bullgaria është e gatshme të bëhet vendi i 21-të i Bashkimit Evropian që përdor euron.
Sipas raportit të komisionit vitin e kaluar Bullgaria kishte bërë me sukses përpjekje për të ulur përqindjen e inflacionit nga mbi 9.5 përqind në rreth 2.7 përqind.
Komisioni Evropian pret që deri në vitin 2026 inflacioni në Bullgari të bjerë në nivelin 1.8%.
Sipas Bankës Qendrore Evropiane tani Bullgaria i plotëson kriteret për t’u bërë pjesë e eurozonës në katër fushat e kërkuara.
Për t’u anëtarësuar në eurozonë një vend duhet të përmbushë disa kritere, në të cilat bëjnë pjesë stabiliteti i çmimeve, financat e shëndosha publike, ulja e inflacionit dhe kursi i qëndrueshëm i këmbimit.
Inflacioni nuk duhet të dalë jashtë kontrollit në mënyrë që të ruhen vlera e parasë dhe fuqia e saj blerëse.
Bullgaria është anëtare e Bashkimit Evropian që nga viti 2007. Vendi i fundit që u pranua në eurozonë më 1 janar 2023 ishte Kroacia.
Anëtarësimi në eurozonë i jep Bullgarisë akses në politikën monetare dhe mbështetjet financiare të Bankës Qendrore Evropiane, duke zvogëluar rrezikun e krizave monetare.
Përdorimi i euros ul normat e interesit për kreditë qeveritare dhe të biznesit dhe eliminon rrezikun e këmbimit valutor me vendet e eurozonës, duke rritur besimin e investitorëve.
Po ashtu përdorimi i euros thjeshton transaksionet ndërkufitare, duke e bërë më të lehtë tregtinë dhe turizmin me vendet e tjera të BE-së.