
Një shpërthim dhe më pas zjarr u raportuan në bordin e një anijeje kontejnerësh me flamur të Singaporit pranë brigjeve të Kerala në Indinë jugore të hënën, tha një zëdhënës i Rojës Bregdetare Indiane. Nga 22 anëtarët e ekuipazhit në bord të MV Wan Hai 503, 18 e braktisën anijen me ndihmën e marinës indiane dhe rojes bregdetare, ndërsa katër rezultojnë të zhdukur, tha komandanti Amit Uniyal në një deklaratë.
Një nga anëtarët e ekuipazhit të shpëtuar pësoi lëndime të rënda. Dy nga katër të zhdukurit janë shtetas të Tajvanit, një nga Indonezia dhe një nga Myanmari, tha Uniyal. Marina dhe roja bregdetare kanë nisur një operacion kërkimi për të zhdukurit, të ndihmuar nga një avion Dornier. Marina përdor avionët Dornier kryesisht për operacione mbikëqyrjeje detare, kërkim-shpëtimi. Një numër anijesh janë dërguar gjithashtu për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit rreth 88 milje detare nga bregu i Beypore në Kerala.
“Anija është aktualisht në lundrim dhe kanë filluar përpjekjet për shuarjen e zjarreve për ta vënë situatën nën kontroll”, tha Uniyal. “Shpëtimi i jetëve të ekuipazhit në vështirësi, shuarja e zjarreve dhe zbutja e rreziqeve mjedisore mbeten përparësi për rojen bregdetare.”
Ai tha se po punonin për të përcaktuar detajet e ngarkesës së anijes dhe çdo rrezik të mundshëm që mund të shkaktonte. Anija 890 metra e gjatë u nis nga porti i Kolombos në Sri Lanka më 7 qershor dhe pritej të mbërrinte në Mumbai të Indisë të hënën.