Vllaznia ia ka dalë të fitojë ndaj ekipit të Korabit në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.

Kuqeblutë kanë fituar 2-0 ndaj ekipit të Peshkopisë me nga një gol të shënuar në secilën pjesë. Sfida e shkodranëve me ekipin që renditet në vendin e fundit ka qenë nën ritmin mesatar. Pavarësisht kësaj Vllaznia ka arritur të marrë një fitore të rëndësishme dhe të konsolidojë pozitat e saj në mesin e tabelës duke iu larguar rrezikut direkt të mbijetesës. Ka qenë Elis Bakaj ai i cili ka shënuar golin e avantazhit në pjesën e parë. Bakaj kthehet kështu në një futbollist deçiziv për ekipin shkodran duke realizuar golin e tretë me fanellën e Vllaznisë. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin e shkodranëve. Në 45 minutat e dyta Korabi tenton që të avancojë dhe administrojë lojën por kuqeblutë tregohen të kujdesshëm në fazën mbrojtëse duke mos menduar edhe aq shumë për sulmin. Skuadra e Peshkopisë shton disi presionin por është e paqartë në lojën sulmuese ndërsa Vllaznia zmbraps me qetësi çdon sulm të ekipit kundërshtar. Skuadra e teknikut Armando Cungu jo vetëm se ruan avantazhin por në minutën e 88-të shuan çdo shpresë për Korabin. Hebaj provon një top të krosuar për ta dërguar në rrjetë por portieri i Korabit arrin ta presë me vështirësi. Topi kthehet tek Hebaj i cili shmang një mbrojtës dhe godet fuqishëm nga një pozicion i prirët duke realizuar kështu golin e dytë. Minutat e fundit janë për statistikë ndërsa Vllaznia merr një fitore me rëndësi 2-0 ndaj Korabit, duke fundosur edhe më shumë këtë ekip në fundin e renditjes.

Artikulli paraprakVDES NJË BURGOSUR I DENUAR ME 18 VITE PER VRASJE
Artikulli tjetërGRUPI PARLAMENTAR I PD VENDOS TË BOJKOTOJË KUVENDIN, JO GREVË URIE