
Një ditë para përfundimit të afatit (4 mars) për regjistrimin në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, numri i zgjedhësve të cilëve iu është miratuar kërkesa ka arritur shifrën 218 686.
Sipas kryekomisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, dita me numrin më të lartë të kërkesave që nga momenti që është hapur procesi (11 janar), ka qenë dje, më datë 2 mars, me 16 302 kërkesa për regjistrim.
Në total, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të publikuara në faqen zyrtare, deri sot ora (11:35) kërkesat për regjistrim janë 337 849, nga të cilat 326 588 janë shqyrtuar, 107 902 janë refuzuar dhe 11 210 janë në shqyrtim.
Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës.
Numri më i lartë i kërkesave për regjistrim të miratuara është nga Italia me 81 169, e ndjekur nga Greqia me 58 827, Gjermania me 23 314 dhe SHBA me 18 988.
Sa i takon qarqeve, numri më i lartë i kërkesave për regjistrim të miratuara është nga qarku i Tiranës me 46 372, e ndjekur nga Fieri me 28 900 si dhe nga Durrësi me 22 537.