
Këtë të mërkurë u mbajt një konferencë për rezultatet në procesin e vettingut në drejtësi në vend. Kreu i KPA-së Sokol Çomo deklaroi se vettingu ishte një proces i vështirë, por i domosdoshëm për Shqipërinë. Çomo u shpreh se procesi mbyll tranzicionin e drejtësisë në vend.
“Ishte një përvojë e vështirë, dhe e dhimbshme. Ishte etapë që nuk ishte e lehtë për vendin tonë. Por kjo etapë ishte e nevojshme. Ne krijuam kushtet që sistemi i drejtësisë të funksionojë mbi themele më të forta. Sot po shënohet mbyllja e kapitullit të tranzicionit. Shqipëria po futet në shinat e duhura të demokracisë funksionale. Sfida jonë e përbashkët është që përjashtimi të mbetet përjashtim e normaliteti të jetë garancia se do ketë drejtësi për qytetarët.
Dua të falënderoj të gjithë ata që dhanë kontribut në procesin e vettingut. Një mirënjohje e veçantë i takon partnerëve tanë ndërkombëtarë, sepse ka qenë një partneritet i ndërtuar mbi vlera të përbashkëta. Një falënderim i shkon edhe ONM-së. Qëllimi ka qenë i përbashkët: forcimi i drejtësisë shqiptare”, tha Çomo.
Silvio Gonzato, ambasadori i BE-së në Shqipëri gjatë fjalës së tij theksoi se vetingu kërkoi guxim politik dhe angazhim personal të gjithë atyre që besuan se shteti i së drejtës duhet të qëndrojë në qendër të së ardhmes së Shqipërisë.
“9 vite më parë Shqipëria nisi një rrugëtim reforme në drejtësi, që ishte i paprecedentë për nga shtrirja, kompleksiteti dhe ambicia. Vetingu kërkoi guxim politik dhe angazhim personal të gjithë atyre që besuan se shteti i së drejtës duhet të qëndrojë në qendër të së ardhmes së Shqipërisë. Sot mund të themi se vetingu ka sjellë rezultate të prekshme dhe historike. Askush nuk është mbi përgjegjësinë dhe llogaridhënien dhe se pavarësia e gjyqësorit duhet të ecën krah për krah me etikën profesionale.
Kjo nuk përbën fundin e reformës, por shënon nisjen enjë faze të re, ajo që vjen më pas është provë dhe më e vështirë që këto rritje të jenë të qëndrueshme në kohë. Standardet që vendosen duhet të mbeten dhe të zbatohen, verifikimi i pasurisë, kontrolli i integritet të vazhdojnë të zbatohen në mënyrë të qëndrueshme, jo më përmes një mekanizmi të posaçëm, por përmes punës së institucioneve. ILD vazhdon të ushtrojë rolin e hetimeve për sjelljet e papërshtatshme”, tha ai.






