
Në Teatrin “Migjeni” kanë nisur përgatitjet për edicionin e 10-të të Festivalit “Luleborë”, një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore të qytetit.Këtë vit, festivali vjen në një vit jubilar, duke shënuar edicionin e 10-të të tij.
Orkestra ka nisur provat e para, në mënyrë që gjithçka të jetë gati në fund të muajit tetor, kur për dy netë me radhë, emra të njohur të skenës shkodrane dhe shqiptare do të performojnë për publikun e Shkodrës.
Në një intervistë për mediat, Dritan Mlika, përgjegjës i Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci”, foli për përgatitjet, por edhe për rëndësinë që mbart ky festival në vitin e tij jubilar.
Pas përzgjedhjes së këngëve që do të marrin pjesë në këtë edicion, puna është përqendruar në përgatitjen e materialeve muzikore, të cilat siç është traditë do të interpretohen live për publikun.
Për dy netë me radhë, më 27 dhe 28 tetor, Teatri “Migjeni” do të mirëpresë Festivalin “Luleborë”, që në këtë edicion jubilar pritet të sjellë shumë surpriza dhe emocione për spektatorët.






