Reshje të dendura dhe intensive priten gjatë ditëve në vijim, kryesisht në veri të Shqipërisë. Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se sipas informacionit të dërguar nga Qendra e Koordinimit të Emergjencave Civile në Bruksel, Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, të premten, më 22 nëntor, qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Tiranë dhe Elbasan do të përballen me reshje të intensitetit të lartë.
Në qarqet e tjera të vendit, reshjet do të jenë mesatare, por mund të arrijnë nivele të intensitetit të lartë. Për shkak të kushteve të motit të pafavorshëm, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ka kërkuar rritjen e gatishmërisë së strukturave të Mbrojtjes Civile dhe institucioneve që administrojnë hidrovoret, rezervuarët, rrugët, furnizimin me energji dhe ujë, si dhe monitorimin e nivelit të lumenjve.
AKMC u bën thirrje prefekturave dhe bashkive të mobilizojnë menjëherë strukturat e emergjencave civile dhe të monitorojnë me kujdes situatën, sidomos në zonat më të rrezikuara nga reshjet e shumta.