Pas inspektimeve në terren të bëra nga Bashkia Shkodër, në Njësitë Administrative të përmbytura situata e përmbytjeve vazhdon të përkeqësohet dhe sipërfaqja totale ka arritur mbi 2920 Ha. Në detaje paraqitet si më poshtë:

Deri në këto momente, janë mbi 940 ha tokë e përmbytur në Njësinë Administrative të Dajçit. Ka filluar të ngrihet uji mbi aksin kryesor Dajç-Velipojë.
Në fshatin Shirq janë të bllokuara nga uji 28 familje, në fshatin Mushan 4 familje dhe në fshatin Darragjat 4 familje. Në 3 banesa ka prezencë uji.
Në Njësinë Administrative Ana e Malit, situata vijon të jetë e përkeqësuar dhe paraqitet më e rënduar.

Niveli i ujit është rritur me 30 cm krahasuar me një natë më përpara. Në Obot kalohet vetëm me varka. Është bllokuar kalueshmëria në rrugën e Goricës. Kërkohet një fadromë për të hapur rrugën në kodër, rrugë e vjetër.

Në 3 shtëpi në Obot dhe 5 shtëpintë tjera në Muriqan, dhe në 4 shtëpi në lagjen Gallube ka hyrë uji me rreth 10 cm.

Mbi 1200 ha tokë janë të përmbytura: Fshati Muriqan 420 ha, fshati Oblikë 580 ha, fshati Obot 200 ha. Niveli i ujit ka pësuar rritje dhe ka tendencë rritjeje.

Në njësinë administrative Bërdicë janë mbi 530 ha tokë e përmbytur

Në njësinë administrative Velipojë, janë të përmbytura mbi 100 Ha tokë Në njësinë administrative Rrethina janë të përmbytura 70 Ha tokë e ndarë sipas fshatrave si më poshtë.

Qyteti Shkodër:

Në zonën e Livadheve janë të përmbytura 80 ha. Pas inspektimeve më të fundit rezulton se në rrugën Et‘hem Kazazi ka prezencë uji dhe në një segment rruge ka vështirësi kalimi. Në këtë rrugë ndodhen mbi 40 shtëpi me prezencë uji afër oborreve të tyre dhe nga këto 4 familje mbajnë bagëti, ku si pasojë e fushave të përmbytura paraqiten vështirësi në sigurimin e ushqimit për to. Këto familje furnizohen me ujë të pijshëm nepërmjet puseve dhe ky paraqitet si problem.

Në lagjen Ajasëm janë rreth 80 dynym tokë e mbuluar nga uji dhe si pasojë 5 familje të cilat mbajnë rreth 100 krerë bagëti kanë vështirësi në sigurimin e ushqimit për to.

Kampi i romëve pranë Prokurorisë Shkodër është i përmbytur. Bashkia Shkodër ka marrë masatt e nevojshme për zhvendosjen e fëmijëve në Qendrën Komunitare Nr 4. Aktualisht po kujdesemi për fëmijët me veshmbathje dhe ushqim.

Nderkohë ne bashkëpunim me forcat e ushtrisë, me dy kamionë po bëjmë evakuimin e të rriturve në strehimin përkatës në Bërdicë.

Kërkojmë një kamion ushtrie për shpërndarjen e ndihmave në terren dhe varka në varësi të gjendjes.

Nga ana tjetër, duhet të merren masa për furnizim me klor për dizefektim për zonat e përmbytura pas tërheqjes së ujit.

Bashkia Shkodër ka bërë një shkresë publike drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes ku ka kërkuar shpalljen e gjendjes së emergjencës civile në këto njësi pasi rrezikohet rëndë shëndeti dhe jeta e popullatës, gjësë së gjallë, pasurisë e mjedisit.

Edhe pse kjo kërkesë është përsëritur disa herë, akoma Bashkia Shkodër nuk ka një përgjigje zyrtare nga autoritetet përgjegjëse.

Insistojmë në kërkesën tonë të vazhdueshme për shpalljen e emergjencës civile në një pjesë të territorit të Bashkisë së Shkodrës pasi situata e krijuar është rezultat i shkarkimeve të mëdha në sasi dhe për një kohë të gjatë në kaskadën e lumit Drin.

Bashkia Shkodër është e angazhuar në monitorimin dhe përgjigjen në çdo kohë të nevojave emergjente të banorëve.

Artikulli paraprakFRROKAJ NË GJYKATË RRETHUAR NGA POLICIA,MBËSHTETËSIT:JEMI ME TY!
Artikulli tjetërPRURJET RRISIN NIVELIN E UJIT NË DAJÇ