
Në Shkodër u përkujtua me nderim dhe emocion 35-vjetori i Meshës së Parë publike, e kremtuar në Varrezat Katolike të Rrmajit nga Dom Simon Jubani. Kjo ngjarje historike u bë simbol i ringjalljes së lirisë fetare në vend, pas dekadash ndalimi të fesë nga regjimi komunist.
Ceremonia përkujtimore u zhvillua me meshë të shenjtë, të drejtuar nga arqipeshkëvi emëritus Imzot Angelo Massafra. Në fjalën e tij, Imzot Massafra kujtoi me mirënjohje figurën e Dom Simon Jubanit, duke e cilësuar atë si një njeri të guximshëm që i qëndroi besimit dhe lirisë shpirtërore në kohë të errëta për Shqipërinë. Ai theksoi gjithashtu se kujtesa për këtë ngjarje duhet të mbetet e gjallë si frymëzim për brezat e rinj.
Pas meshës u zhvillua procesioni përkujtimor drejt varrezave të Rrmajit, ku ndodhet edhe vendi ku Dom Simon Jubani kremtoi meshën e parë pas viteve të ndalimit të fesë. Të pranishmit vendosën lule në kujtim të tij dhe të të gjithë martirëve të fesë që sakrifikuan për liri, besim dhe dinjitet njerëzor.






