
Në një kremtim solemn dhe plot devocion marian, u përmbyll Muaji Maj në Bazilikën e Nanës së Këshillit të Mirë, gjatë Meshës së Shenjtë të udhëhequr nga Imzot Mirosław Adamczyk, Nunc Apostolik në Shqipëri.
Në këtë ditë të veçantë, kur Kisha kremton edhe Solemnitetin e Trinisë së Shenjtë, besimtarë të shumtë u bashkuan në lutje dhe falënderim për të përfunduar muajin kushtuar Virgjërës Mari, duke ia besuar asaj familjet, të rinjtë dhe mbarë popullin shqiptar.
Gjatë predikimit të tij, Imzot Adamczyk ndaloi në misterin e Trinisë së Shenjtë, duke theksuar se Hyji është bashkësi e përsosur dashurie ndërmjet Atit, Birit dhe Shpirtit Shenjt.
Nunci Apostolik ftoi besimtarët që, duke kundruar shembullin e Marisë, të hapin zemrat ndaj veprimit të Hyjit dhe të jetojnë çdo ditë në besim, shpresë dhe dashuri, duke u bërë dëshmitarë të Ungjillit në familjet dhe komunitetet e tyre.


