
Në fshatraf Mali i Jushit, dhe Hoten në Njësinë Administrative Bushat, banorët përballen prej katër ditësh me një situatë të vështirë për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e fundit. Uji ka mbuluar rrugët dhe dhjetra banesa, duke e bërë të vështirë lëvizjen dhe jetesën e përditshme të banorëve. Disa banesa janë plotësisht të izoluara, ku hyrja është e pamundur. Sipas banorëve, përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa bujqësia dhe blegtoria kanë pësuar humbje të konsiderueshme.
Banorët shprehen se, pavarësisht situatës kritike, ata nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti. Sipas tyre, përmbytjet ndodhin për shkak se kanalet nuk pastrohen rregullisht.
Ata kërkojnë dëmshpërblimin e dëmeve të shkaktuara në banesa, bujqësi dhe blegtori, si dhe ndihmë urgjente për të përballuar situatën.
Situata mbetet kritike dhe banorët e zonës presin ndërhyrje për të shmangur dëme të mëtejshme.






