Kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi përmes një statusi në facebook ka bërë të ditur se ka bërë një kërkesë për furnizimin me bazë ushqimore për gjënë e gjallë në zonat e përmbytura por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje. Kryebashkiakja Ademi thotë se situata pritet që të vështirësohet për banorët e përmbytur ndaj kanë nevojë emergjente që të mbështeten lidhur me ushqimin që u nevojitet për bagëtitë.

Ademi thotë se shkresa është dërguar që me datë 14 janar 2021 në Prefekturën e Qarkut Shkodër duke kërkuar 156 ton koncetrat për plotësimin e nevojave për 10 ditë por deri më tani sipas kryebashkiakes nuk ka një përgjigje. Ja se çfarë shkruan Ademi në reagimin e plotë të saj:

“Nuk kemi asnjë përgjigje për furnizimin e kërkuar për bazë ushqimore për gjënë e gjallë në zonat e përmbytura. Me rifillimin e reshjeve në territorin e Bashkisë së Shkodrës, të cilat parashikohet të vazhdojnë disa ditë, vështirësohet situata për banorët, fermerët dhe gjënë e gjallë.

Sot, sipërfaqja nën ujë është 738 hektarë dhe sipas parashikimeve pritet të rritet në datat 22- 26 janar. Problemi kryesor vazhdon të mbetet furnizimi me koncentrat, sanë – ushqim për gjënë e gjallë. Që me datën 14 janar 2021 kemi dërguar kërkesën në Institucionin e Prefektit të Qarkut për ushqim për gjënë e gjallë në territoret e përmbytura.

Kemi kërkuar 156 ton koncentrat për plotësimin e nevojave për 10 ditë, për rreth 2550 krerë gjedhë, rreth 2720 krerë të imta dhe rreth 760 krerë derra. Deri tani, nuk ka asnjë reagim nga institucionet shtetërore për sigurimin e ushqimit. Është një detyrim i Ministrisë së Bujqësisë sigurimi i koncentratit për gjënë e gjallë, teksa përmbytja është pasojë e shkarkimeve nga hidrocentralet.

I bëj thirrje Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Prefekturës Shkodër, Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile që t’i përgjigjen nevojës të komunitetit për ushqim për gjënë e gjallë. Kjo situatë do të vazhdojë për disa javë deri në tërheqjen e ujit, me pasoja të rënda për kulturat bujqësore, ndër të cilat edhe ato që përdoren si ushqim për blegtorinë”, bën të ditur kryebashkiakja Ademi në këtë reagim.

Ndërkohë edhe më përpara bashkia Shkodër ka vënë theksin se problemi kryesor për momentin në zonat e përmbtyrua të NënShkodrës është sigurimi i ushqimit për bagëtitë për fermerët e dëmtuar numri i të cilëve është i shumtë kryesisht në zonën e njësisë Ana e Malit dhe Dajç. Edhe vetë banorët kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me mungesën e ushqimit për bagëtitë duke i dëmtuar edhe më shumë ata përveç dëmit që u është shkaktuar me përmbytjen e tokave bujqësore.

Artikulli paraprakTKURRET NË 738 ha SIPËRFAQJA E TOKAVE TË PËRMBYTURA
Artikulli tjetërGOLEM, BANORËT KËRKOJNË HAPJEN E NJË RRUGE DYTËSORE