Situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet më e përmirësuar krahasuar me një ditë më parë. Sipas monitorimit të vazhdueshëm gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, në disa nga zonat e prekura është konstatuar rënie e niveleve të ujit.
Në zonën e Obotit, niveli i ujit ka pësuar ulje me rreth 10 centimetra. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore vijon të ketë prezencë uji rreth 100 centimetra, ndërsa mbetet nën monitorim të vazhdueshëm. Mjetet e Bashkisë Shkodër, së bashku me strukturat mbështetëse, ndodhen edhe sot në terren, në gatishmëri të plotë për të garantuar ndihmën dhe aksesin për banorët. Varkat vijojnë të jenë funksionale për transport dhe ndërhyrje në rast nevoje.
Gjatë ditës së djeshme është realizuar furnizimi i banorëve me ndihma përmes një kamioni. Deri më tani raportohet për prezencë uji në oborret e disa banesave në Obot, por pa depërtim të ujit në brendësi të tyre.
Në Njësinë Administrative Dajç, konkretisht në zonën Urrelat–Shirq, niveli i ujit ka rënë gjithashtu me rreth 10 centimetra. Vijon të ketë ujë në kanalet kulluese të tokave bujqësore, por pa rrezik për banesat.
Sipërfaqja totale e tokës bujqësore me prezencë uji vlerësohet rreth 800 hektarë, e shpërndarë kryesisht në Dajç, Velipojë, Ana e Malit dhe Bërdicë.
Autoritetet bëjnë me dije se situata paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim, ndërsa monitorimi në terren vijon pa ndërprerje.

Artikulli paraprakBIEN PRURJET NËKASKADË,ULET NIVELIVE SHKARKIMEVE
Artikulli tjetërDETI SHKATËRRON SHËTITOREN E KUNES NË SHËNGJIN