Të paktën 80 persona kanë humbur jetën dhe mbi 1300 të tjerë rezultojnë të zhdukur në Gjermani, si pasojë e përmbytjeve katastrofike që kanë përfshirë vendin, por fatmirësisht ky nuk ka qenë edhe fati i një familje shqiptare.

Gazeta gjermane “Bild” ka treguar historinë e Sheik Hysenit, 46 vjeç, një shqiptar që jeton në Gjermani, i cili me orë të tëra nuk e dinte nëse i kishte humbur vajzat e tij. Babi kishte frikë për jetën e Lauretës 13 vjeç dhe Altunës 17 vjeç.

“Të mërkurën vajzat e mia më thirrën, më thanë se uji kishte arritur deri në katin e parë, vrapova për të shkuar në shtëpi, por kur mbërrita uji tashmë ishte kudo. Hera e fundit që fola me to ishte ora 21:00, më pas lidhja u shkëput”, ka thënë ai për gazetën gjermane, Bild.

Krejt i dëshpëruar, ai tha se priti gjithë natën në një urë nga e cila mund të shihte shtëpinë e tij, por fatmirësisht, pasditen e djeshme atij iu dha lajmi se dy vajzat ishin shpëtuar me helikopter.

“Ne vetëm kemi qarë, kisha frikë për vajzat e mia, jam shumë i lumtur që u shpëtuan. Tani duhet të shohim se çarë ka mbetur nga shtëpia”, ka thënë ai.