
Situata me zjarret është përmirësuar ndjeshëm gjatë 24 orëve të fundit. Ministria e Mbrojtjes informon se nga 28 vatra zjarri në total, vetëm 3 janë aktive. Ndërsa 6 të tjera po mbahen nën monitorim.
Situata u përmirësua edhe falë rënies së temperaturave dhe reshjeve të shiut që ranë pasditen e së enjtes në zona të caktuara, duke kontribuar në fikjen e vatrave.
Aktualisht po punohet me intensitet në këto zona:
* Tërnovë (Bashkia Bulqizë) – Zjarri vazhdon të zhvillohet në kurorë me pyje të dendura nga qafa e malit në drejtim të qytetit të vjetër Bulqizë. Në operacion janë angazhuar 8 efektivë të MZSH të bashkisë Bulqizë, 4 forca bashkiake, 6 forca të pyjores, 3 forca policore, të mbështetur nga FA me 30 forca ushtarake dhe 1 helikopter. Po punohet për izolimin e zjarrit.
* Xath (Bashkia Fushë-Arrëz) – Vijon puna për izolimin e zjarrit me angazhimin e 60 forcave operacionale, të ndihmuara nga 80 forca ushtarake dhe 1 helikopter. Intensiteti i flakëve është ulur, por puna për shuarjen vazhdon.
* Velë (Bashkia Mirditë) – Zjarr në një masiv me pisha, me rreth 6.5 ha të përshkruara nga flakët. Në terren janë 3 automjete zjarrfikëse me 6 efektivë të MZSH të bashkisë Mirditë, 12 forca bashkiake, 6 forca të pyjores, 2 forca policore dhe 6 forca ushtarake. Po punohet për shuarjen e plotë të zjarrit.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 52 automjete zjarrfikëse dhe 740 forca operacionale, të ndihmuar nga FA me 323 forca ushtarake, 7 automjete zjarrfikëse dhe 1 helikopter të FA. Gjithashtu morën pjesë 4 helikopterë (EBA, çek, sllovak) dhe 1 avion Canadair nga Italia.






