Profesor Përparim Kabo, bëri një apel të gjatë kundër politikës aktuale në Shqipëri. Sipas tij, sferës aktuale politike në vendin tonë i ka ardhur fundi.

“Lëreni politikën dhe fjalët, mos bëni sikur nxeheni, sikur keni probleme të mëdha parimore me njëri-tjetrin. Ju jeni njësoj, një prerje jeni. Madje këtë e keni provuar vetë me aleancat dhe marrëveshjet që keni bërë.

Keni kërcyer nga e majta në të djathtë dhe nga e djathta në të djathtë pa ju dridhur qerpiku. Po nga ndryshon programi juaj, si qenka, një herë i majtë një herë i djathtë? Kjo tregon që partitë politike udhëhiqen nga interesa, jo nga vlera, jo nga parime. Mendoj se jo vetëm qytetarët shqiptar, që tanimë e kanë humbur durimin, por të gjithë shqiptarët kudo që janë në të gjithë botën, duhet të përfshihen në votimin në Shqipëri. Zoti Majko në një studio televizive tha, tani mandatin e tretë do ta marrim për inerci, se njerëzit do të na votojnë prapë ne. Jo mor jo, ty të ka ikur koha me kohë, s’të voton më njeri ty. Për çfarë do të votojë ty? Ty edhe shokët e tu për çfarë duhet të votojë? Për borxhin e madh? Për deficitin buxhetor? Për çfarë duhet të votojë? Ikni një orë një sahat e më parë, misioni juaj mbaroi.

Nuk ua bën jetën të lumtur as vila as jahti, as luksi, as çantat gjashtë mijë euro të fëmijëve tuaj që s’kanë punuar asnjë ditë, nuk jua bëjnë jetën të lumtur. Mund t’jua bëjnë më luksoze por më të lumtur jo. Ky është një popull fisnik, që ka duruar shumë, por s’ka për të duruar më. E ardhmja është e tij, sepse demokracia është mënyrë e organizimit të shtetit, ku populli në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të lirë përfaqësohet përmes delegimit të sovranitetit. Demokracia nuk është vjedhje e sovranitetit për të pasur ti pushtetin autokratik, koha juaj ka mbaruar”, tha ai.