Prokuroria e Lezhës ka dhënë pretencen në lidhje me përplasjen me armë të ndodhur në muajin prill të viti 2022 në fshatin Kallmet, ku u përfshi dhe ish kreu i Njesisë Administrative Besnik Simoni.Për këtë të fundit është kërkuar deklarimi fajtor dhe dënimi me 12 vite burg, për veprat penale “Vrasja ne kapercim te kufijëve të mbrojtjes se nevojshme e mbetur ne tentative” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Ndërsa Altin Marku rrezikon dënimin me 28 vite burg për veprat penale “Vrasja me paramendim e mbetur ne tentative” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Konkluzionet u dhanë nga prokurori i çështjes Françesk Ganaj dhe tashmë do të jetë trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Aurel Arapi, i cili do të vendosë për fatin e dy të akuzuarve, të cilën janë me masen e sigurisë “Arrest në Shtëpi”.
Sipas dosjes hetimore ka qenë Altin Marku i cili ka qëlluar me armë zjarri plot 9 herë në drejtim të ish-funksionarit të pushtetit vendor Besnik Simoni, ndërsa ky i fundit i është përgjigjur me armë zjarri duke qëlluar 19 herë. Nga të shtënat të dy personat mbeten të plagosur, por 42-vjeçari Besnik Simoni ka mohuar të ketë qëlluar me armë zjarri ndaj bashkëfshatarit të tij, ndërsa dhe arma nuk është arritur të gjendet.
Përplasja me armë zjarri ndodhi mesditën e 1 prillit, në rrugën që lidh fshatin Kallmet me superstradën Lezhë-Shkodër. Fillimisht policia raportoi se ishte plagosur në një atentat, zyrtari i pushtetit vendor Besnik Simoni, por 4 orë me vonë blutë gjeten të plagosur në një banese në fshatin Kallmet të Lezhës dhe autorin shtetasin Altin Marku. Pas veprimeve paraprake hetimore, policia doli në konkluzionin se të dy personat kanë qëlluar në drejtim të njeri-tjetrit dhe ata u vunë në pranga.