PARA DY MUAJVE PREFEKTI RADOVANI THA SE DO PASTROHEJ DHE ZGJEROHEJ. Kanë kaluar më shumë se dy muaj kur prefekti i Qarkut Shkodër Paulin Radovani bëri këtë deklaratë për mundësinë e pastrimit të përroit të Goricës. Që atëherë e deri më sot asnjë hap nuk është ndërmarrë për pastrimin e atij përroi që është në kufirin ndarës me Malin e Zi në pikën kufitare të Muriqanit.

Jo vetëm se nuk është bërë pastrimi siç u tha para më shumë se dy muajve por po ashtu nuk është bërë as zgjerimi i përroit të Goricës. U tha se do të jepet një shumë prej 40 milion lekësh të vjetra për pastrimin dhe zgjerimin e atij përroi por realisht ky projekt ende nuk është vënë në zbatim. Në këtë mënyrë përroi i Goricës tashmë vetëm emrin ka të tillë sepse thuajse ka arritur një nivel me tokën duke u rrafshuar. Kanali i përroit madje nuk arrihet as të shihet duke qenë se është i zënë me pemë apo edhe bimë të tjera. Prefekti Radovani para dy muajve po ashtu do të shprehej se kjo ndërhyrje që deri tani nuk është bërë mund të zgjidh edhe problemin e përmbytjes së dy fushave aty.Nuk është e qartë se cila është arsyeja që ai fond prej 40 milion lekësh të vjetra që jepet nga Bashkia Shkodër si kuotë për këshillin e Qarkut nuk është vënë në funksion duke qenë se bashkë me prefekturën, këto 3 institucione vendore kanë rënë dakord pas bisedimeve edhe me palën malazeze për pastrimin dhe zgjerimin e përroit të Goricës. Situata vijon të jetë e njëjtë aty edhe pse ka një rëndësi duke qenë se ndodhet në kufirin ndarës mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Artikulli paraprakDONALD LU: POLITIKA SHQIPTARE TË PASTROHET NGA TË INKRIMINUARIT
Artikulli tjetërSHOQATA E GJUETARËVE: HIQNI MORATORIUMIN