ÇIFTI ÇEK QË PËRFUNDOI PUSHIMET ME TRAGJEDI, NJË KËMBANË E FORTË ALARMI. Vetëm dy ditë para se të vriteshin, çifti nga Çekia Michal Svatos dhe Anna Kosinova kishin publikuar në faqen e tyre ne Facebook një album të titulluar “Përshëndetje nga Ballkani”. Për këtë album ata kishin zgjedhur fotot më të bukura nga udhëtimi i tyre turistik në Malësitë e Shkodrës dhe plazhin e Rrjollit.  Në fillim, çifti çek ka udhëtuar drejt plazhit të Rrjollit në Velipojë ku kanë publikuar dhe foto nga bukuritë e kësaj zone.  Më pas, ata janë nisur drejt zonës së Vermoshit, për të përfunduar në zonën e Dukagjinit, që për fat të keq rezultoi me udhëtimin e tyre të fundit. 

Në fotot që kanë publikuar, nuk mungon as ajo ku valëvitet flamuri shqiptar. Të vrasësh dy të rinj turistë të huaj natën përgjatë një rruge malore në radhë të parë është një akt I ulët burracakësh .Turistët e huaj konsiderohen si pjesa më e pambrojtur dhe më vunerabël e shoqërisë. Ata nuk njohin terrenin , nuk njohin njerëzit , nuk arrijnë të dallojnë kurthet e ngritura përgjatë rrugës së tyre . Por shpesh ata shndërrohen në ambasadorët më të mirë të vendeve të cilët i mirëpresin dhe që dinë ti mbrojnë, siç tregon dhe publikimi i fotos së flamurit shqiptar në Facebook-un e tyre. Nga ana tjetër turistët kanë me vete dhe burime të konsiderueshme ekonomike të cilat shkojnë në favor të ekonomisë së popullsisë lokale. Të godasësh dy të rinj turistë nuk është vetëm një akt burracakësh kundrejt viktimave por është dhe një akt tradhtie ndaj vendit tënd. Madje edhe më shumë, është një akt terrorist sepse godet imazhin ndërkombëtar të vendit dhe dëmton ekonominë e vendit.Padyshim që nuk do të jenë vrasjet e Dukagjinit ato që do të vënë në dyshim traditën shekullore të mikpritjes bujare shqiptare, simbol ky në të gjithë botën. Por kur policia të ketë kapur autorët e kësaj masakre që ndoshta kanë vrarë vetëm për të grabitur disa të holla, drejtësia do të duhet ti dënojë ata jo vetëm për vrasje por edhe për terrorizëm. Sepse ajo çfarë ndodhi në Dukagjin ishte e ngjashme me një akt të mirëfilltë terrorist.