
Një histori që nis në Shkodër dhe udhëton përtej kufijve. Gati gjashtë shekuj histori, besim dhe kujtesë janë mbledhur në dokumentarin “Përtej Murit – Nëna e Këshillit të Mirë”. Me ide dhe regji të Gjon Kolndrekajt, skenar të Pal Kolndrekajt dhe prodhim të CrossinMedia, në bashkëpunim me Rai Documentari, vepra sjell një rrëfim që lidh Shqipërinë me Italinë dhe Shkodrën me Genazzanon. Ajo u prezantua në edicionin e 83 të festivalit të filmit në Venezia dhe sjell përpara publikut edhe momente të dhimbshme të historisë shqiptare: luftërat, pushtimet, largimin e njerëzve nga atdheu dhe vitet e diktaturës komuniste.
Një kapitull i veçantë i kushtohet periudhës së ateizmit shtetëror, kur besimi fetar u godit dhe institucionet fetare u mbyllën. Megjithatë, tradita dhe kujtesa vazhduan të ruheshin.
Një histori shqiptare që nis në Shkodër, kalon përmes Italisë dhe tashmë shkon drejt një audience ndërkombëtare. Sepse muret mund të ndajnë vende dhe njerëz, por nuk mund të ndajnë kujtesën nga rrënjët.


