Ish të përndjekurit në Shkodër po përgatisin një peticion për të shpallur 21 majin si “Dita e Kujtesës” për Shqipërinë.

Ky peticion që po bëhet në bashkëpunim me shoqatën “Drejtësi dhe Paqe” do t’i dërgohet Parlamentit për ta miratuar dhe për ta futur në rend të ditës. Këtë e konfirmon kryetari i shoqatës së ish të përndjekurve Zenel Drangu. 21 maji është dita që përkujtën revoltën e parë në vendet e Europës lindore që u organizua në burgun e Spaçit në vitin 1973. Drangu tregon se po gjen mbështetje për ta shpallur 21 majin si “Dita e Kujtesës”. Revolta e Spaçit me 21 maj të vitit 1973 zgjati 3 ditë. Të burgosurit valvitën në tarracën e burgut famëkeq një flamur të Skënderbeut pa yllin komunist sipër, duke kënduar dhe hedhur parrulla kundër diktaturës, derisa u shtyp me gjak. 4 nga të burgosurit u dënuan me pushkatim, 8 të tjerë u ridënuan me 25 vjet burg dhe 70 të tjerë u arrestuan dhe u rigjykuan. 100 të burgosurit që nisën revoltën u rrethuan me shpejtësi nga 4500 trupa ushtarake nga Shkodra e Tirana të cilët hapën zjarr ndaj asaj revolte që tregoi rezistencën e popullit shqiptar megjithë dhunën dhe presionin e terrorin e diktaturës.