Qeveria dhe SPAK do të përballen sot në Gjykatën Kushtetuese për rastin e zv.kryeministres Belinda Balluku. Seanca në Kushtetuese me relator Sandër Becin do të nisë në orën 10:00, ku do të shqyrtohet ankimi i kryeministrit Edi Rama i cili kërkon shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së të marrë në nëntor 2025 për pezullimin e Ballukut nga detyra. Përveç qeverisë, Kushtetuesja ka thirrur në seancë edhe përfaqësues nga Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme, si dhe nga parlamenti e Presidenca si subjekte të interesuara.

Numri 2 i qeverisë aktualisht është rikthyer në detyrë pas një vendimi të Kushtetueses, deri në shqyrtimin e plotë të ankimit të kryeministrit Rama dhe shpalljes së vendimit përfundimtar nëse do ta ‘lejojë’ ose jo precedentin e krijuar nga GJKKO me pezullimin e një anëtari qeverie.

Kryeministri Rama iu drejtua Kushtetueses me argumentin se vendimi i GJKKO-së ishte një ndërhyrje brutale të një pushteti si ai gjyqësor, në kompetencat e një pushteti tjetër, si ai ekzekutiv. Ai i kërkon Kushtetueses që të zgjidhë konfliktin e kompetencave GJKKO-Këshilli i Ministrave, pra nëse Gjykata e Posaçme ka ekskluzivitet për të pezulluar nga detyra një anëtar qeverie, duke qenë se propozimin e ministrave Kushtetuta ia njeh si ekskluzivitet Kryeministrit.
Kjo është vetëm një prej pikave të ankimit të Ramës. Pasi të sqarojë mosmarrëveshjen e kompetencave, Qeveria kërkon nga Gjykata shfuqizimin e vendimit të GJKKO për masën ndaj Ballukut, vetëm për pjesën e pezullimit të saj nga detyra e zv. kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, pasi masa tjetër e ndalimit të lëvizjes jashtë vendit nuk është ankimuar. Në ankim, kryeministri i kërkon Gjykatës Kushtetuese të interpretojë dhe nenin 103 të Kushtetutës, i cili i njeh anëtarit të Qeverisë imunitetin e deputetit.

Nga ana tjetër GJKKO argumenton se pezullimi i Ballukut nga detyra është i ligjshëm. Gjyqtari Erion Çela argumenton se përse është e nevojshme masa e sigurisë ndaj saj duke renditur mes të tjerave, mundësinë e ndërhyrjes dhe ndikimit në prishjen apo asgjësimin e provave, rrezikun e largimit, apo dhe të përsëritjes të së njëjtës vepër penale. Masa e pezullimit nga detyra, sipas GJKKO-së, e respekton Kodin e Procedurës Penale, pasi edhe pse “e penguar” për qenë në qeveri, Balluku mund të vijojë pa probleme aktivitetin e saj si deputete në Kuvend.

Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese do të vijë në një kohë kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend edhe kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut. Kjo lëvizje e SPAK erdhi menjëherë pasi Kushtetuesja e ktheu Ballukun në detyrë, ndërsa mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve është më datë 28 janar.

Belinda Balluku është e pandehur për tenderin me vlerë 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë, nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe dhe po verifikohen edhe tenderë të tjerë.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakRESHJE NË ULTËSIRËN PERËNDIMORE, TEMPERATURA NËN ZERO NË DISA QARQE
Artikulli tjetërSOT SEANCË PLENARE NË KUVEND, VOTOHET MARRËVESHJA E PRANIMIT TË SHQIPËRISË NË BORDIN E PAQES PËR GAZËN