Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka njoftuar zyrtarisht se nuk do të marrë pjesë në seancën plenare publike që zhvillohet sot në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me kërkesën e paraqitur nga Kryeministri Rama për çështjen Balluku.

Objekti i shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese lidhet me “zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër”, në lidhje me pezullimin e ushtrimit të detyrës së një anëtari të Këshillit të Ministrave.

Në njoftimin e saj, GJKKO thekson se ka vendosur të mos marrë pjesë në këtë proces, pasi vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë. Sipas qëndrimit zyrtar të gjykatës, në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të përfshihet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj. Një pjesëmarrje e tillë, theksohet në njoftim, do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor.

GJKKO bën me dije se i ka përcjellë zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese qëndrimin e saj përmes shkresës nr. 5560/1 Prot., datë 29.12.2025, ku janë parashtruar në mënyrë të detajuar arsyet ligjore pse kjo gjykatë nuk mund të konsiderohet palë në këtë proces kushtetues. Seanca plenare e Gjykatës Kushtetuese pritet të zhvillohet sot, mes një vëmendjeje të shtuar publike dhe politike, për shkak të implikimeve institucionale dhe kushtetuese të çështjes.

Artikulli paraprakVAKSINA KUNDËR HPV, EDHE TEK DJEMTË 13 VJEÇ! MINISTRIA E SHËNDETËSISË: APLIKOHET FALAS NË TË GJITHA QENDRAT SHËNDETËSORE
Artikulli tjetërGJKKO E PEZULLOI NGA DETYRA, NIS SEANCA NË KUSHTETUESE, MERRET VENDIMI PËR BALLUKUN!