Kompania Pfizer kërkon të zgjerojë përdorimin e vaksinës anti COVID te adoleshentët e moshave 12 deri në 15 vjeç.

Vaksina aktualisht është e autorizuar për përdorim emergjent në Shtetet e Bashkuara për njerëzit e moshës 16 vjeç e lart. Kompanitë thanë të premten se kishin kërkuar nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave një zgjerim të autorizimit, për të përfshirë edhe grupmoshën më të re.

Javën e kaluar, Pfizer-BioNTech tha se nga provat klinike rezultoi se vaksina ishte e sigurt dhe 100% dhe efektive në moshat 12-15 vjeç.

Ende nuk dihet nëse rregullatori do të kërkojë një takim të bordit të pavarur këshillues që rekomandoi autorizimin fillestar në mënyrë që kompanitë të marrin një autorizim për këto mosha.

Vaksinimi i fëmijëve dhe të rinjve shihet si një hap i rëndësishëm drejt arritjes së imunitetit të tufës dhe zbutjes së pandemisë, sipas shumë ekspertëve.