Kreu i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka kritikuar kërkesën e Pfizer dhe kompanive të tjera farmaceutike për të shitur një dozë të tretë përforcuese të vaksinës anti-COVID te vendet me të ardhura të larta, ndërkohë që duhet të fokusohen qe vendet e varfra të pajisen me dozat e nevojshme për të vazhduar procesin.

Deklarata e Tedros vjen vetëm pak ditë pasi Pfizer, ka depozituar kërkesën në FDA për miratimin e një doze të tretë përforcuese te qytetarë.

“Ne po bëjmë një zgjedhje të vetëdijshme për të mos mbrojtur ata që na kanë më shumë nevojë”, tha ai.

Tedros u shpreh se pas 10 javësh rënie të nivelit të infektimeve dhe vdekjeve nga COVID-19 , numri i rasteve pozitive po rritet në mënyrë drastike sërish.

“Megjithëse numri infektimeve po ritet kjo nuk do të thotë që në çdo vend intensiteti është i njëtë. Ne jemi në mes të një pandemie ku pabarazia në shpërndarjen e vaksinave mes vendeve sa vjen edhe po thellohet”, tha ai.

Kreu i OBSH tha se kompanitë farmaceutike të Pfizer dhe Modera duhet t’i japin përparësi furnizimi të vaksinave në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, si dhe duke u përfshirë në platformën e COVAX, për të ndihmuar sa më shumë në “luftën” e përbashkët kundër COVID-19.

Kompania farmaceutike e Pfizer, pretendon se teksa bota po “pushtohet” nga varianti delta një dozë e tretë përforcuese do të ndihmonte në “mposhtjen” e tij.

Ndërsa FDA këmbëngul se një gjë e tillë është e panevojshme dhe se 2 doza janë mjaftueshme për të “luftuar” COVID-19.

Edhe OBSH mbështet faktin se deri më tani nuk ka asnjë provë e cila tregon se personat plotësisht të vaksinuar do të kenë nevojë një dozë të tretë përforcuese.