Fluksi i emigrantëve shqiptar që kthehen në vendet e punës në Europë ka filluar të ulet këtë të diel në pikën kufitare të Muriqanit. Situata duket normale, edhe pse akoma puna vijon të jetë me kapacitet maksimal të sporteleve nga të dyja palët, si ajo shqiptare dhe ajo malazeze. Nga të dhënat e lëvizjeve, bëhet me dije se në këtë fillim viti fluksin më të madh të daljeve e kanë patur ditët nga e mërkura deri të shtunën, ndërsa shtatë janari ka kthyer radhët normale dhe të zakonshme. Qytetarët shprehen të kënaqur, ndërkohë bëjnë me dije se këtë të diel situata duket normale.

Megjithatë, vështirësia e kalimit gjatë ditëve të fluksit, nga data tre deri në datën gjashtë janar ka irrituar qytetarët që janë të detyruar të kalojnë shpesh kufirin.

Në shtatë ditët e para të 2018-ës kanë dal nga pika kufitare e Muriqanit, 18.500 shtetas shqiptar dhe të huaj.

Ndërsa në hyrje shifrat kanë qenë të zakonshme për periudhën e vitit në të cilin ndodhemi.

Radhët e gjata janë bërë të zakonshme në periudhën e festave, njëherë me ardhjen dhe pastaj me kthimin e emigrantëve shqiptarë në vendet e Europës ku ata jetojnë dhe punojnë.