
Fluksi i lëvizjeve në këto dy pika të kalimit kufitar do të rritet dita – ditës, pasi me rritjen e temperaturave shtohet interesi i turistëve të huaj për të vizituar jo vetëm Shkodrën, por edhe zona të tjera të qarkut Shkodër. Këto dy pika kufitare, Muriqani dhe Hani i Hotit janë portat më të rëndësishme të pritjes së turistëve për qarkun Shkodër. Sipas të dhënave të siguruara nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, bëhet me dije se nga dita e hënë deri të premten janë regjistruar të dhënat e rreth 60 mijë shtetasve. Nga këta, rreth 28 mijë janë shtetas janë regjistruar në hyrje dhe rreth 30 mijë në dalje të territorit shqiptar.
Ndërkohë, fundjava ka shtuar fluksin, pasi të shumtë kanë qenë edhe familjet që kanë udhëtuar drejt Ulqinit për të shijuar motin e favorshëm. Ndërkohë, në pikën e kalimit kufitar në Muriqan, që regjistron edhe fluksin më të madh të lëvizjeve, po punohet me të gjitha kapacitetet për të evituar krijimin e radhëve gjatë këtyre dy ditëve.