Në ambientet e Muzeut Historik të Shkodrës, me iniciativën e këtij institucioni dhe muzikologut Qamil Gjyrezi, u zhvillua mbrëmja kulturore “Piktura dhe Muzika në Muzeum”, një aktivitet që ndërthur artin pamor me atë muzikor, duke sjellë një përvojë të veçantë për të pranishmit.
Në këtë kuadër u çel ekspozita vetjake e piktorit Ahmet Malevija, me temë “Dialog me ngjyrat, nëpërmjet ekspresionizmit dhe abstraktes”, kuruar nga profesoresha Ermira Jahja. Piktori Malevija ndaloi te përmbajtja dhe frymëzimi i krijimeve të tij, duke theksuar se çdo tablo është një dialog shpirtëror mes ngjyrave dhe emocioneve njerëzore.
Pas ekspozitës, publiku u përfshi në një tjetër dimension artistik me koncertin e flautistes së njohur Majlinda Spiro, nën titullin “Magjia e tingujve të flautit në muzeum”. Në këtë performancë morën pjesë edhe muzikantë e artistë të talentuar shkodranë, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe plot ndjesi

Ky aktivitet ishte një tjetër dëshmi se Shkodra mbetet një vatër e gjallë e kulturës, që bashkon breza artistësh në nderim të shpirtit krijues dhe trashëgimisë kulturore të qytetit.

Artikulli paraprakNEXHO SHABANI, “PASURIA JONË KA QËNË HUMORI”
Artikulli tjetërMINATORET E SPAÇIT 10 DITE NË PROTESTË