Pista e improvizuar e avionëve,Krimet e Rënda nisin hetimet për trafik droge
Ndërsa në vendin ku u rrëzua avioni policia nuk arriti të gjente asnjë provë që e lidhte avionin me trafikun e drogës, Prokuroria e Krimeve të Rënda është duke hetuar në këtë pistë. Nisur paraprakisht nga akuzat politike, prokuroria është duke investiguar në pistën e trafikut, nisur edhe nga kontradiktat në deklaratat e pilotit italian. Gjatë këqyrjes së vendit ku ra avioni, grupi hetimor konstatoi një zonë, për të cilën ka ngritur dyshime se është një pistë e improvizuar për uljen e avionëve që mund të trafikojnë drogë. Por për këtë pistë të vetmet prova që e lidhin me trafikun e drogës është fakti se në të janë gjetur gjurmë gomash. Deri më tani nuk është përcaktuar nëse ato gjurmë janë të ndonjë avioni të ulur aty apo të ndonjë mjeti të banorëve të zonës. Ndërkaq edhe banorët konfirmojnë se kjo pistë e improvizuar është ndërtuar tre vite më parë, ndërkohë që më herët ka qenë arë. I dyshimtë është edhe fakti se në këtë pistë improvizuar gjenden gjurmët e një rrotullimi të bërë nga avioni i kapur mëngjesin e sotëm. Gjurmët tregojnë se avioni ka bërë një kthesë 360 gradë, çka ka bërë që hetuesit të dyshojnë nëse avioni ka bërë ulje të detyrueshme apo ulja ka qenë e menduar që më parë.