Gjykata e shkallës së parë në Shkodër dha masën e sigurisë “arrest me burg” për 15 vjeçarin Klodian Kolbuçaj i cili dyshohet se shkaktoi plagosjen e rëndë me pasojë vdekjen të bashkëmoshatarit të tij Emiljano Gjoni. Gjatë masës së sigurisë autori i dyshuar nuk ka dhënë asnjë deklaratë pasi psikologu i pranishëm në sallën e gjyqit ka vlerësuar se Kolbuçaj ishte në një gjendje të rëndë shoku psikologjik duke e patur të pamundur që të japë dëshminë e tij.

Nga ana tjetër avokati mbrojtës Anton Kosteri kërkoi që gjykata të japë një vendim që të jetë në interesin më të lartë të miturit duke parë gjendjen e rënduar psikologjike të 15 vjeçarit. Prokurori Ndriçm Halilaj kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg”, kërkesë që gjykata përmes gjyqtarit Albert Keraj e pranoi. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 14 tetorit në zonën e ish Fermentimit në Shkodër. Shtetasi Emiljano Gjoni mori një goditje me thikë në zemër duke mbetur i plagosur rëndë ndërsa humbi jetën vetëm pas pak minutash në spitalin rajonal të Shkodrës duke mos arritur të përballojë plagën e rëndë. Menjëherë pas ngjarjes policia vendore e Shkodrës bëri të mundur në një kohë të shpejtë identifikimin e autorit të dyshuar, 15 vjeçarit Klodian Kolbuçaj dhe arrestimin e tij.

Në dëshminë e tij dhënë për policinë autori i dyshuar deklaroi se ka qenë viktima ai i cili e ka ndalur në rrugë dhe pasi ka debatuar e ka goditur me një thikë që kishte me vete duke e lënë të plagosur lehtë në sup aurotin. Ky i fundit në tentativë për t’u vetëmbrojtur ka deklaruar se ka arritur që në konfrontim e sipër fizik t’ia marrë thikën viktimës duke e goditur njëherë me idenë për ta plagosur sipas dëshmisë së tij por ajo goditje në zemër rezultoi fatale duke bërë që 15 vjeçari Emiljano Gjoni të humb jetën. Viktima dhe autori i dyshuar ishin të dy në një shkollë, shkollën e mesme profesionale “Hamdi Bushati” dhe të dy në vit të parë por në klasa të ndara. Janë të paqarta arsyet e këtij konflikti mes dy të miturve. Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet për të zbardhur të plotë këtë ngjarje të rëndë të ndodhur në Shkodër tre ditë më parë.

Artikulli paraprakKAOSI NË PARLAMENT, SPIROPALI PËRJASHTON 3 DEPUTETËT E PD, ELDA HOTI, PETRIT DODA DHE GËZIM ADEMAJ! NUK PRANOJNË TË DALIN NGA SALLA
Artikulli tjetërOPOZITA NUK HEQ DORË, PËRPLASJE ME GARDËN, ÇAHET GARDHI METALIK, DEPUTETËVE IU BASHKOHEN DHE PROTESTUESIT E BASHKISË