Policia identifikon autorin e dyshuar të plagosjes me armë zjarri të boksierit të Vllaznisë, Nelson Hysa, 33 vjeç dhe e shpall atë në kërkim.

Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në vendin e quajtur “Ura Dervishbeg”, Shkodër. Rreth orës 14:30 të së shtunës, shtetasi me inicialet V.K , 21 vjeç, banues në Shkodër, ka qëlluar me pistoletë në drejtim të boksierit, duke e lënë të plagosur. Sipas të dhënave, autori i dyshuar i krimit lëvizte me një motor dhe në momentin që ka qëlluar në drejtim të Nelson Hysës, nuk ka zbritur prej tij.

Gjithçka ka ndodhur në pak sekonda, ku i riu është larguar me shpejtësi për t’i shporuar arrestimit të policisë. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një gëzhojë model 54 e kalibrit 7.62 mm. Materialet i kaluan Prokurorisë Shkodër për veprat penale “Vrasje me paramendim, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Bazuar në deklarimet e të plagosurit, ka rezultuar se në momentin që do futej për tu qethur në një berberhane në lagjen “Qemal Stafa” në vendin i quajtur “Ura Dervishbeg”, dy persona me motor me skafandra në kokë dhe me rroba të zeza i janë afruar, ku njëri prej tyre e ka qëlluar njëherë me armë zjarri pistoletë në pjesën fundore të barkut dhe janë larguar menjëherë. Nelson Hysa aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.