Policia e Shkodrës po shkon drejt zbardhjes së plagosjes të shtetases F.M, 49 vjeçe e cila u qëllua para dy ditësh.

Burime pranë policisë së Shkodrës bëjnë me dije se është arrestuar shtetasi Shkëlzen Xhenja, 25 vjeç banues në Shkodër. 25 vjeçari dyshohet nga efektivët blu si autor i plagosjes së 49 vjeçares para dy ditëve. Shtetasja F.M u plagos teksa ishte në punë duke shitur në një dyqan rrobash në lagjen “Rus”. Dy persona me motorçikletë i janë afruar 49 vjeçares dhe e kanë qëlluar me armë zjarri pistoletë në trup. Shtetasja F.M ka marrë tre plumba por ka arritur që të shpëtojë duke qenë jashtë rrezikut për jetën. E plagosura ka deklaruar në dëshminë e saj se kjo ngjarje lidhet me vdekjen e motrës së saj S.S para pak muajsh. Familjarët e shtetases S.S akuzojnë ish-bashkëshortin e saj për vrasjen e 38 vjeçares. Ky i fundit vazhdon që të jetë në paraburgim dhe ka mohuar se është ai autor i vrasjes së bashkëshortes së tij.

Në këtë mënyrë shtetasja që u plagos para dy ditëve pretendon se kjo ngjarje është porosi e ish-kunatit të saj. Forcat e policisë gjatë këtyre dy ditëve kanë shoqëruar disa të afërm të tij por asnjë prej tyre nuk është arritur të vërtetohet si autor i plagosjes apo të ketë edhe dyshime. Në hetime e sipër grupi hetimor ka ngritur dyshime se autor i plagosjes është shtetasi Shkëlzen Xhenja. Policia ka bërë arrestimin e tij dhe dyshohet se është ai personi që ka qëlluar ndaj shtetases F.M. Policia ka dyshime se 25 vjeçari kundrejt një shume parash ka plagosur 49 vjeçaren. Hetuesit kanë ngritur këtë pistë dhe po hetojnë nëse qëndron apo jo. Shtetasi Shkëlzen Xhenja ka qenë i dënuar më parë ndërsa ka dëshmuar se ai nuk ka asnjë lidhje me plagosjen për të cilën policia e dyshon si autor.