
Policia e Shkodrës ka arrestuar Gjovalin Gjekaj dhe Pëllumb Gjekaj, banues në Malësinë e Madhe ndërsa është shpallur në kërkim dhe nipi i tyre. Këto shtetas dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri drejt automjetit të Edison Tiranës dhe pasi ka ndaluar, e kanë rrahur atë duke i shkaktuar plagë në trup dhe në kokë. I gjithë konflikti dyshohet se ka ndodhur për shkaqe banale. Vëllezërit Gjekaj kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të 42-vjeçarit Tirana i cili ka humbur kontrollin dhe është përplasur në pikën e karburantit. Me pas ai ka tentuar të largohet por është kapur nga vëllezërit Gjekaj që më pas dyshohet se e kanë goditur me sende të forta . 42-vjeçari Edison Tirana ka marrë ndihmën e parë në spitalin rajonal të Shkodrës dhe është larguar për në banesën e tij.
Në njoftimin zyrtar të policisë së Shkodrës thuhet se :
”
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër, të mbështetura nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në aksin rrugor “Koplik – Shkodër” një shtetas ishte kanosur me armë zjarri, organizuan punën për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u kapën në flagrancë dhe u arrestuan shtetasit Gjovalin Gjekaj , 63 vjeç, dhe Pllumb Gjekaj, 51 vjeç, banues në fshatin Bajzë.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi K. Gj., 34 vjeç, banues në fshatin Bajzë.
Nga hetimet dyshohet se këta 3 shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri në pjesën e pasme të automjetit dhe pas ndalimit në afërsi të rrethrrotullimit në hyrje të qytetit të Koplikut, kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime shtetasit E. T.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.”






