Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja me armë zjarri e ndodhur në Shkodër, ku mbeti i plagosur lehtë në këmbë 45-vjeçari Genc Hoxha.

Sipas dëshmisë së Gucisë në polici, konflikti mes tyre kishte nisur një ditë më parë në servisin e tij, ku Hoxha kishte shkuar për të riparuar grupin e timonit të automjetit. Ai ka deklaruar se nuk kishte pjesë të re për zëvendësim, por vetëm një të përdorur, ndërsa mes tyre nuk u arrit marrëveshje për riparimin dhe u pagua vetëm kontrolli i automjetit.

Gucija pretendon se gjatë largimit Hoxha ka nisur një debat duke e pyetur “pse më sheh” dhe duke e fyer. Sipas tij, ai nuk i është përgjigjur për të shmangur konfliktin, edhe për faktin se ishte në agjërim.

I dyshuari ka deklaruar se një ditë më pas janë takuar sërish në një rrugicë pranë servisit, ku sipas tij Hoxha e ka fyer dhe ka tentuar ta godasë me sende të forta. Në këto rrethana, Gucija thotë se ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar në këmbë, duke pretenduar se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes dhe pa qëllim për ta vrarë.

Nga ana tjetër, i plagosuri Genc Hoxha ka dhënë një version të ndryshëm për ngjarjen. Ai ka deklaruar se po përpiqeshin vetëm të sqaroheshin, kur pronari i servisit ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të tij. Hoxha mohon gjithashtu të ketë përdorur fyerje apo të ketë tentuar ta godasë.

Policia ka gjetur në vendngjarje një gëzhojë që dyshohet se i përket armës së përdorur, ndërsa është sekuestruar edhe pistoleta me të cilën dyshohet se u krye plagosja. Sipas autoriteteve, arma u dorëzua nga i dyshuari në momentin e arrestimit, pak minuta pas ngjarjes pranë banesës së tij.

 

Artikulli paraprakSHKODËR, ZHVILLIMET NGA RENDI NË 24 ORË
Artikulli tjetërSHKODËR, ZHVILLIMET NGA RENDI NË 24 ORË