Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka vendosur “arrest shtëpie” për shtetasin Besnik Ndoj i përfshirë në sherrin e 19 majit në qendër të Velipojës ku mbetën të plagosur dy vëllezërit Ervin dhe Durim Tahiri.

Për këto të fundit gjykata e Shkodrës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg në kushte spitalore duke qenë se vijojnë që të jenë ende të shtruar në spitalin rajonal të Shkodrës. Fillimisht është zhvilluar seanca gjyqësore e drejtuar nga gjyqtarja Fildeze Elezi për shtetasin Besnik Ndoj. Gjatë seancës avokati mbrojtës Rezart Nehani dhe vetë i akuzuari u shprehën se dy vëllezërit Tahiri kanë qenë ata që kanë shkuar për të krijuar sherrin që ka ndodhur më pas përballë njësisë administrative të Velipojës dhe se është vetëmbrojtur kur ka parë se është sulmuar.

Pala mbrojtëse ka deklaruar në sallën e gjyqit se plagosja e dy vëllezërve Tahiri ka ndodhur në përleshje e sipër. Duke patur parasysh rrethanat avokati mbrojtës kërkoi një masë lehtësuese dhe jo “arrest me burg”. Nga ana tjetër prokurorja Françeska Lekani ka parashtruar provat që posedon organi i akuzës dhe në fund gjykata ka vendosur “arrest shtëpie” për Besnik Ndoj. Pas kësaj séance është zhvilluar seanca tjetër në spitalin rajonal të Shkodrës ku ndodhen dy vëllezërit Tahiri nën kujdesin e mjekëve. Gjyqi është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe i pranishëm ka qenë avokati mbrojtës Ilir Golemi.

Gjatë seancës për dy vëllezërit është kërkuar një masë lehtësuese dhe jo “arrest me burg” ndërsa është deklaruar se Ervin dhe Durim Tahiri kanë shkuar për t’u sqaruar dhe jo për të krijuar atë sherr që më pas ka çuar në plagosjen e tyre. Në fund gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” në kushte spitalore. Vëllezërit Tahiri mbetën të plagosur në 19 maj në Velipojë pasi një ditë më parë vëllai i vogël i tyre ishte përfshirë në një sherr me një prej djemve të fisit Ndoj. Një ditë më pas palët janë përleshur duke bërë që Ervin dhe Durim Tahiri të plagosen. Nga ana tjetër vazhdon që të jetë në kërkim Aurel Ndoj, i dyshuar si autor i plagosjes së dyfishtë.

Artikulli paraprakZGJEDHJET, NDRYSHON DATA E PROVIMIT TË MATURËS
Artikulli tjetër“GJYSMA E QEVERISË RA, ME 25 BIE E TËRA”